Mehmet Ali Pasha
Në krahinën e Kosovës hapet lajmi se Sulltani kishte çue nji Pashë të ri. Thirret, prandej, në kuvend tanë undyra e vendit. Burrat mâ në shêj kosovarë bashkohen te shpia e Abdullah Drenit, në Gjakovë. Vetëm Ali Pasha e Haxhi Zeka, nga Shqiptarët, hinë te Perfaqsuesi i Stambolles per të folë me tê n' emën të Kombit. Pasha turk i pret me fjalë t' ambëla dhe u lajmon se Sulltani e kishte pá me udhë t' i a lëshojë Knjaz Nikollës viset e Hotit e të Grudës bashkë me Plavë e Gucí. Në këto fjalë Ali Pashë Gucija nxehet dhe, mbasi i paraqet sundimtarit të rí shërbimin e Shqiptarëvet per të marën e Turqís e Mbretít, kategorisht i a mohon të derjtën këtij të mramit të bâjë nderë me tokat shqiptare, si t' ishin këto mallë i gjetun. Këshillon edhe Mehmet Alín vetë qi, në rasë se edhe ai kishte po të njajtën mende, do të bante shum mâ mirë të ngarkonte çaklat e të vente majet kahë kishte vû thembrat; përndryshej mund do t' i bîjte ndonji paknaqsi e rendë. Këcen Pasha anadollak nga idhnimi dhe urdhënon të burgoseshin lajmtarët shqiptarë. Ishte ky nji hap tepër i ngutshëm dhe do të kishte pasoja të damshme per të dyja palët. Ky gabím trashanik nuk e ngushton gjith aq Poetin, kujdesi i të âsht tek Abdullah Dreni, qi perbujte Pashën turk. Dihej se nji Beg si Dreni, s' kishte per t' a lëshue aq lehtas mikun. M' anë tjetër as Shqiptarët e Veriut - beson Poeti - s'kishin per t' i lanë udobisht Krenët e vet në burg. Epet kushtrimi në marë Kosovën. I madh e i vogël, qí bán armë, rân në Gjakovë. Sundimtari turk pendohet perpara ermvet shqiptare, por tepër vonë. Ushtrija kryengritëse kërkon Pashën per t'i bâ gjyqin. I dërgohet nji lajmtár Abdullah Drenit per t'a pëvetë se a donte t'a dorzojë Pashën, i cili m' atë rasë nuk ishte mik por anmik e se prandej nuk hinte në nejet e Kanunit. Pergjegja âsht negative. Abdullah Dreni ishte gadi me falë gjâ e mallë, rop e robí, por jo erzin e shpirtin, nderën e mikun. Ndërkaq ai ndryhet në kullë per qindresë bashkë me pesëdhetë Fandas kryesum nga Oshi i Nuros, i cili edhe nisë pushkën mâ i parí. Ndezet luftimi. Shqiptari vritet me Shqíptar per shkajk të nji anadollakut. Trí ditë e tri netë s'pushoi pushka, deri qi së mramit u muerë kulla. Rán dekun Pasha turk, Abdullah Dreni, Oshi i Nuros e sá tjerë.
Parija e Kosovës, tashti, i shkruen nji letër Sulltanit dhe i difton se këta janë gadi me njoftë gjithnji atê e Perfaqsuesët e tij po qe, veç, se ata vinë per të mirën e vendit e jo per t' a dá dhantí e per t' a falë tokën shqiptare nder të huej. Në rasë të kundërt le t' a dijë Dera e Naltë se kujdo qi vjen me këto qellime ka per t' i ndodhë shka i ndodhi Mehmet Alís.
Para nëgjarjes së Gjakovës binden Fuqit e Mdhá dhe pëvesin se kush, vall, do të janë këta Shqiptarë, qi guxojnë të thejnë fjalën e Mbretit të Stambollës dhe mos të mbâjnë vendimin e tyne.
Mehmet Ali Pasha

Po rreh teli i vilajetit:
Kush â Krye e Bajraktár,
Kush â beg e shpí e parë,
M' Kaçanik e del m' Qafe t' Diellit,
Hiq e eja ne Gjakovë; 5
Pse ká ardhë nji Pashë i rí
E ká 'í fjalë të madhe fort
Me u a thânë Krenve t'Shqypnís
Te konaku i Abdullah Drênit.
Shkuen trí dit e shkuen trí net 10
Edhè Krenët behen n' Gjakovë,
Njani beg e tjetri agë,
Kush Vojvodë, kush Bajraktär.
U kan prî nja dy zotní:
Ali Pasha e Haxhi Zeka, 15
Burra lidhë me besë Shqyptare,
Si dý plume n' <<xheverdare>>,
Fíll te Pasha edhè kan hî.
Atà mirë i ká pritë Pasha,
Pasha Mehmet Alì Pasha. 20
U ká qitë duhan e kafe,
I ká pvetë per rob e shpí,
E per treg e per bulqí
Per mehmurë e viqilade:
Se si shkohej n' ket dhé jeta, 25
Se a po kisht' me se m' u rrnue.
Qatje vonë po zên e u thotë:
Baba Mbret u bân <<selám>>
Se aj jue u ká, lule m' saksí,
Se aj jue u ká, po, hajmelí, 30
Hajmelí bajtun nen sjetull:
U rue porsi sý'n nên vetull.
Veç se erdhen mote t' veshtira
Si per mbret ashtû per Krajla...
Elè mâ qaj Knjaz Nikolla 35
Nuk po i shef kund mâje vedit,
Ke ká ngelë m'krepa t' Cetinës
Pip i lumt, pa gjâ mbas shpirtit,
Me i u dhimtë gurit e drunit.
Prandaj Krajlat jânë mendue, 40
Jânë mendue e e kan pleqnue,
Me i u lutë Mbretit t'Stambollës,
Qi t' i a lshojë kund kah Shqypnija
Ndo'i grimë djerr, ndo'i pllamë tokë buke,
Sá me pasë kû me gjellisun; 45
Pse,vallahi! ngusht ká rá.
Edhè Mbretit, i u rritët jeta!
E ká bâ me mend Pleqní,
Me i a lshue Malit të Zí
Hot e Grudë, Plavë e Gucí... 50
Pasha Zotin! ká gabue,
Zû Alì Pasha tue u idhnue,
Se kjo pûnë qi s' bâhet kurr:
Se gjâ e shkretë s' ká metë Shqypnija,
Qi me u dhânë bakshish nder Krajla. 55
Shqypnín Mbreti s'e ká shtrue
Me armë n' dorë, si viset tjera,
Tjerat vise të Balkanit:
Por ortak u bâ aj me né,
Tuj u lidhë me besë e fé, 60
Se aj Shqypnín e njef Shqypní;
Se s' na lot kanû'n e t' Parve:
Se s' na prekë nder doke t' ona,
E se na atí i shkojm n' ushtrí,
Kurdo luftë t' i qesë anmiku. 65
na edhè besen i a kem' majtun,
Kû ká thânë, na i kemi shkue:
Se n' Jemen na kem luftue:
Me Junan na jemi pré;
Jemi grî me Armen e Shkjé, 70
Pa nji t' mirë, o Zot! per vedi;
Se ktû s' ké kurrgjâ per s' mari:
Vendi e gjindja lshue pa zot:
Hajni e cubi ndêjë mbí post:
I pafaji vjerrë m' konop: 75
Gjâja hupë nder thoj t' murtatit:
Erzi i burrit per dý pare:
Kryet e burrit p'r'i cingare.
E sot dashtka baba Mbret
Me Shqypní me bâm aj nderë, 80
Thue i shportë fiqsh kjo ká qillue,
Anì kujë? Malit te Zí!...
A din shka, ti Pasha i Mbretit?
Ngarko rraqet per Stambollë
Se ky, po, âsht nji vend i eger 85
E po t'njitet kund ndo i ferrë...
Sa per caqe të Shqypnís,
Kto kaherë kânë vendue:
I ká ngulë shpata e Shqyptarit,
E njaj Knjazi i Malit t' Zí 90
S' ká me i shkulë, mor' pasha Zotin!
Me i u bâ dhami sa derrit.
Ç' ká qitë Pasha edhè i ká thânë:
Se ti kênke i' Arnaut i çmendun,
Dalun Dinit edhè Imanit: 95
Pse kshtû Turku, bre! nuk flet.
Anì kush << ortak >> me Mbretin...
Do koçakë, do cuba malit,
Per t' u vjerrë të gjith m' konop.
Haps, bre! derrat ktû ma i bâ; 100
Pse, mos t'isht' Mbreti i Stambollës,
Dielli drite s' kishte me lshue,
E as s' mêrr frýme krajl permbí dhé:
Jo mâ <<ortak >> Mbreti me u bâ
Me malokë cuba Shqiptarë... 105
S' ká Shqyptarë as s' ká Shqypní:
Veç ká Alláh, Mbret e Turkí!
Vrik ká hî çaushi i zaptive,
E i ká reshë burrat perpara,
Si bariu qi reshë bagtín, 110
Kur prej mbramjet dredhë kah shpija,
Edhè n' burg, kû lidhet kali,
I ká ndrý Krenët e Shqypnís.
Pûnë e keqe, pasha buken:
S' âsht per burra hapsi as shkopí: 115
Per ta â shpata ase konopi.
Por se shka, se puna e keqe
Ajo vjen, po, tuj u shtue:
Nisë çurrel e bâhet prrue.
Prandaj Pasha ká gabue 120
Haps me i bâ Krenët e Shqypnís;
Persè toka nuk pat plasun
Qi me i qitë vedit mbi dhé
E kurrkush mos me u rá mbrapa,
Por kan gjind e kan robní, 125
Por kan fis e kan vllazní,
E atà gjindt e aj fisi i tyne,
Thonë ,s'i a barin t' keqen kuej.
Kshtû qi Mehmet Ali Pasha
Ká me rá, thom, nji dite ngusht, 130
Ká me kapë aj kryet ne grusht,
Per shka bâni m' Krenë t' Shqypnís.
Pse t' bjerë ngusht nji Pashë i mbretit,
Ká ndo 'isend e s' ká ndo 'i send;
Veç un drue p'r Abdullah Drênin, 135
Qi tue mbajtë âshtu gjarpnin n'gjí,
Q' se i ká vojtë Pasha per mik,
Mbrendë t'u errë e mbrendë tue zbardhë,
Tuj u kndellë në bukë të tij,
Drekë e darkë ka nji ferlik, 140
Cile e zemer ka 'i <<misnik>>,
<<Gjak e vjamë>> dér m' kupë të giûnit
Bukë Shqyptarit mbas kanûnit:
Un po drue, se Abdullah Drênit,
Nper at mik qi man te shpija, 145
Mund t'na i bîjë ndo'i punë e keqe;
Persè besë un s'mund t' a zâ,
Se nuk lot Shqypnija e Eper,
Se s' po lot Shqypnija e Eper,
Per me i pshtue atà Krenët e veta; 150
Per me bâ qi aj Pasha i Mbretit
Fort të bindet prej vedvetit
Per shka bâni m' Krenë t' Shqypnís.
Po, por shka, se Abdullah Drêni
Vshtirë se lên m'i a shkrrye kush mikun:155
A i Gjakovas, nuk bán marre,
Pse edhè e ká pushken zanát.
Prandej, thom, se nuk do t' ngiasë
E n'Gjakovë rrebtë do t' kersasë,
Pse halís i u dha kushtrimi 160
M' kaçanin e del m' Qafë t' Diellit,
Ç' merr prej Sharit m' Buletin,
Me rrâ turr m' pazár t' Gjakovës
Tym per shpí ka i' burrë me armë.
E t' ká rrâ Pejë e Kosovë, 165
E t' ká lshue Rekë e Rogovë,
Ká lshue Gásh, ká lshue Krasniqe,
Asht dyndë Plava me Gucí
E t' kan dalë m' at fushë t' Gjakovës
Porsi miza per kercunë. 170
Anì shán s' largut anmiku,
Se kurr bashkë s' bâhen Shqyptarët!
Preki 'í herë ti m' tokë të t' Parve,
Preki i' herë ti m' erz të fisit,
Edhè tý kan me t' diftue, 175
Se si dijn kta me u bashkue,
Se si bijn kta m' shpinë t' anmikut,
Thue, â ajo lava e Kaçanikut,
Kur në Shndré t' a forojë zija.
Qe, edhè Pasha, Mehmet Pasha, 180
Pat mendue n' Stambollë me vedi,
Se Shqyptarët m'godi s'mund t'bijn:
Por se tash, qi â aj vetë tue pá,
Se sa behi pika e djalit
M'ato rranxat e Gjakovës, 185
I a ká vû, po, gishtin krés,
E ká nisë aj me u pendue
Per shka bâni m' Krenë t' Shqypnís.
Vall, po i thotë Abdullah Drênit,
Shka ká rrâ sod gjithky nieri? 190
A jânë krushq ardhun per nus?
A jânë axhamít e Mbretit,
Qi po shkojn me u veshë nizamë?
T' u ngiatët jeta, po i thotë Duli,
As s' jânë krushq ardhun per nuse, 195
As s' jânë axhamít e Mbretit
Qi po shkojn me u veshë nizamë;
Por jânë djelmt e Shqypnís s' Eper,
Qi kan ardhë me folë me tý,
Per do Krenë qi t' kan pasë nisun 200
E qi kthye s' u kan te shpija.
Asht vrâ Pasha kur ká ndie,
Se atij mendja s' i a pat pré
Qi n'Shqypní aq nieri pshtiellet,
Per t' rám mbrapa pûnvë t' veta. 205
Shka i tha, at herë, çaushit t'zaptive?
Shpejt mai lshue Krenët e Shqypnís,
Persè... falë i paska Mbreti
Edhè Krenët kan dalë prej burgut
E pa lypë m' Pashen me u pjekë, 210
Fíll kan vojtë m'a fushë t' Gjakovës,
Kû kan mledhë halín n' kuvend
E kan nisë të bisedojn:
Si t' i a bâjm e tek t' i a bâjm,
Se né Mbreti na ká shitun 215
Na ká shitun Malit t' Zí
Per nji rrotull gurabí.
E ky Pasha, Mehmet Pasha,
Ky edhè ardhka prej Stambollet,
Per me i dhânun Knjazit dorë 220
M' Hot e m' Grudë, m' Plavë e m' Gucí.
T' tânë halija thotë nji fjalë:
Se Shqypnín s' e lshojm per t' gjallë:
Se na desim t' gjith si jemi,
E n' dorë Knjazit nuk i vemi: 225
Se edhè Pashen e Stambollës
Këtû e duem, m' i a bâ na gjygjin:
T' a mârrë vesht Krajl edhè Mbret,
Se Shqypnín kush s' na e perket!
Haxhì Zeka at herë âsht çue, 230
Ká marrë fjalen t' kuvendojë:
Derë në zâ asht shpija e Drênit,
Kû han bukë i verbtë e i shkeptë,
Edhè trim âsht Abdullah begu:
Mirë âsht lajmin, m' i a çue, 235
A na lshon pashen n' dorë gjallë,
A i a lypë Shqypnís per mik
Burrë i urtë ky Haxhí Zeka,
Burrë i urtë e flet arsye,
Pse miku s' i pritet kuej, 240
N'dashtë Shqyptár, n'dshtë nieri i huej,
Pa e bâ dert ke i zoti i shpís.
Ká shkue lajmi m' dere te begut
E i ká thânë Abdullah begut:
Ti qi jé Abdullah begu, 245
Falmeshndet po t' çon halija:
Njat murat, qi ké te shpija,
A thue bân n' dorë me na lshue,
Persè e kem' nji gjýgj me tê.
Ká qitë begu edhè i ká thânë: 250
Se âsht murtat, se s' âsht murtat
Kû t' a diej ket pûnë i mjeri,
Pse, vallahi! pvetë s' e kam.
Ket zanát s' m' a ká lânë baba,
Me i pvetë miqt un se shka janë. 255
Se shka janë e shka nuk janë:
Se kah vîn e se kah shkojn:
Shka punojn e sa rrogojn.
Veç, po, 'i punë baba m' ká msue;
Miqt per t' gjallë un mos me i lshue. 260
Po t' më lypë halija mue
Gjithkû e kam un gjân e babës,
Po i a lshoj me mal e vrrí,
Po i a lshoj t'eger e t' butë:
Po i lshoj token me gjith shpí, 265
Po i lshoj plemet me tagjí,
Po i lshoj vathen me bagtí,
Dhên e dhí un po i a fali:
Erz e shpírt e mik s' i fali!
Asht çue lajmi edhe ká shkue. 270
Begu n' kullë mirë âsht ngujue.
Me miq t' vet e pêsdhetë Fandë,
T' zott me brejtë hekur me dhâmë:
Mjaft me thânëqaj Oshi i Nuros,
Qi po i kisht', po, nja trí zêmra, 275
E po e kisht' sýnin rrfé:
Qi s' la Pashë me thye kanunin,
Qi s' la beg me fikë katundin,
nuk la agë me bâ plaçkë grunin.
Vall, ç' ká thânë hoxhë Korenica: 280
Pa ndigiò, ti Oshi i Nuros,
Qi jé Fandë e ha kuvend,
Edhe din si hecë kanuni:
A m' i thue ati' Abdullah Drênit,
Le t' na lshojë Pashen e Mbretit, 285
Le t' na lshojë Mehmet muratin;
pse per mik hasmin e vendit
Nuk e zên kanuja e Maleve!
Oshi i Nuros m' at frangí:
Se, manàt, hoxhë efendí, 290
Mue ktû begu s' më ká prû,
Me pritë peng, me dá kanû,
Mbasi as doke s' po isht' n' Shqypní,
Me lypë mikun me pleqní,
Por me pushkë, barot të zí. 295
Veç se shka, si m' duket mue,
Per Shqyptarë kund giasë nuk ká,
Mikun shoqit me i a ngá;
Pse falë nieri tatë e vllá,
Falë të sháme e falë te ráme, 300
Por jo mikun n' bukë e n' krypë:
S' e bân mikun mish per krraba,
Si s' e bân as Dulo Drêni,
Qi bjen n' zjarm e qi bjen n' ujë,
Edhè mikun s' i a falë kuej, 305
Si tash << huta>> të difton.
Edhè << huta >> bâni <<bam>>.
Lum e lum per t' madhin Zot!
Kur ká krisë kjo<<huta>> e Oshit,
Se ç' ká ushtue Suka e Çabratit, 310
Se ç' âsht dridhë qaj Gramoleci,
Se edhè lufta ç' âsht ndezë zhari,
Me Shqyptár t'u vrá Shqyptari:
Shqypetarët, po, t' u vrá n'mjet veti,
Per nji Pashë qi çueka Mbreti. 315
Eh atê Zoti m' a marroftë!
Persè i huaj, kushdo qi kjoftë.
Aj gjithmonë â augur i zí
Per të mjeren moj Shqypní,
Si njaj korbi qi ndiell zí. 320
A she' 'i herë, sa e zezë nji provë
Asht t' u reshë sod mbi Gjakovë
Neper shkak t' nji nierit t' huej,
Qi veç dam se 'i t' mirë s' suell kuej?
Keq nper tê Shqyptarët ngatrrue, 325
M' shoqishojn kta m' armë kan lshue:
Aj, t' a vras Pashen e Mbret;
Ky, t' a pshtoj Pashen e Mbretit.
Njani thotë: më ká rá mik;
Tjetri thotë: e kam anmik, 330
Edhè thejn nper tê rradaket,
Si t' i'n poça a kunguj Vraket:
Si mo' Zot mâ kaq per né,
Qi n' vend t' lidhim besë e fé,
Me u vrá na me Turk e shkjá, 335
Jetë e Atdhé qi na kan thá,
Çohna e vritna vllá me vllá!
Keq âsht mikun m' i a pré kuej,
Keq âsht lajmin m' i a ngá kuej;
S'bje n' faj lajmi, as giobë nuk lán; 340
Por mâ keq âsht me vrá vllán.
Prandaj keq â e si â mâ zí,
Kshtû Shqyptarët sod me u perzí
E me u gr kta ndermjet veti,
Per nji Pashë qi çueka Mbreti: 345
Per nji pashë, p'r 'i nieri t' huej,
Qi veç dam se i t' mirë s' suell kuej.
Pse edhè, besa! âsht bâ shum gjak:
Kan metë gjindja nper sokak,
Nper sokak e mbí çardak, 350
Mjaft me thânë, se aj Oshi i Nuros
Nper ato frangija t' kullës
Njiqind vetë, po, me të njehun,
Me dorë t' vet i ban t'dekun,
Per t'pshtuem jeten nji <<halldupit>>355
Ndoshta ndoshta, rod magjupit!...
Plot trí dit e rrafsh trí net
Krisi pushka nper gjytet,
Dér qi s'mbramit kulla u muer,
E u vrá pasha, mshilë në kjuer. 360
Sá per Pashen , drejt po u tham,
Kurrnji grimë un dert s'po kam;
S'' po kam dert, as s'm' vjen e vshtirë:
T' i'n kênë dy, edhè fort mâ mirë;
Veç un kjáj Abdulla Drênin, 365
Shaqir Currin, Ram Rrustemin,
Edhè kjáj Oshin e Nuros,
Qi per mik e shkrîne vedin
Si zanát qi ká Shqypnija.
At herë tok âsht mledhë halija, 370
Edhè fjalë Mbretit ká çue:
Pa ndigiò, ti lala Mbret,
Shka po t' thotë halija e Kosovës:
Se t' a çojsh ndo'i Pashë n'Shqypní,
Per t' i a dredhë lakun bâkeqit, 375
Per t'i a shtruem udhen shtektarit,
E per t' çilë kishë e xhami
Per<<dintár>> e <<kryqalí>>,
Anì shka mundesh m' e çue;
Pse enè doret s' t' kemi dalun. 380
Por, sa per me dá Shqypnín
E Nikollës m' i a çue <<peshqesh>>,
Pasha Zotin ! lala Mbret,
nuk ké pse çon Pashë n'ket dhé,
Pse t'a vrasim, pa dý fjalë, 385
Si t' kem' vrá Mehmet Alín.
Lajmi s' vritet, thotë kanuja;
Por na tý nuk kem' kû t' mârrim:
Do t' vrasim veqilat t' ue,
Po vûn dorë kta me na shitë, 390
A <<bakshish>> me na dhânë t' huejve.
Kúr ká vojtë fjala nder Krajla,
Se shka bânë Shqyptarët n' Gjakovë,
Po ky kóm, kan thânë, vall ç' kênka?
Ç' kênka, vall, ky kóm Shqyptár, 395
Qi 'i grusht njerz, t' vobegë tue kênë,
( Farë as fis t' cillve s' u dihet
E as êmnin na ndie s' u a kemi,)
Guzojn t' thejn fjalen e Krajlave
Edhè atê t' Mbretit t' Stambollës? 400

Back to Top

Copyright © 2010 - 2011 plaveguci.us, All Rights Reserved. Web Site designed by alexselimaj.com