Marash Uci
Poeti hin me njí herë në temë tuj u bâ të njoftun lexuesvet fytyrën tipike të Shqiptarit, ushtár në shërbim të Mbretit, trim, luftár, i urtë, i gatshëm kurdoherë me rá në luftë e por me marrë pjesë nder kuvende urtija e kanuni. Në pleqsí malsori bâhet bari gjâsh dhe e kalon kohën me të rí tuj u kallxue këtyne e legjenda popullore e mitologji kombtare, trimni e ndodhje historike të bashkë jetueme. Auktori e gjên Marashin në mendime, si atê të cilit në malsí i bjen ujku nder berre, i mbetet toka djerr, e kapin borxhlit a por s' ka bukë per t' i qitun mikut. Kurrnji prej këtyne në plakun tonë. Marash Ucit i duhet shì sot me marrë tuj u dá, kështu, prej dy të bijvet të Calit, dy djelmoça bashkë bjeshkatarë me tê. Perpara se të nisej, veç, u len këtyne të mramvet porosit e fundit, si ai qi në moshë të shtyme merr rrugë, pa dijtë mirë se a këthen mâ a jo. Testamendi i Mashit âsht vula dalluese e Kombit Shqiptár e përcaktueme me viza të preme t' edukatës kanunore. Ai i porositë djelmt, ende të rí, të ruajnë familjen e gjân, t' u dalin zot të drejtavet të veta me pushkë e gjak, të shkojnë mirë me shokë e t' afërm, të cilt, sido qenë, janë gjithmonë vllazën, mos të poshtnojnë kurrkend, të janë mikpritësa me të njoftun e sidomos me të huajë, por pá u a lëshua këtyne të fundit kurr zemrën në dorë, mos të janë të ngutshëm, por të matun e t' urtë, mos të rrezikohen tuj a hí punvët të pasigurta, të ruhen prej panderëshmenis e sidomos prej grues së lëshueme, mos të çarsin ndoren e besën e dhanun, të duenë vendin e Atdhén. Mbas këtyne fjalvet Marash Uci dahet prej dy barivet të rí, sí t' íshte me moshë të tyne, në krye t' orës kapet në Stare të Hotit, prej kah drejtohet per kullë të Bajraktarit. S' vonon e mërrin në Gjenoviq dhe takohet me Çun Mulen, i cili në shpejtin e mashit e kohën e papërshtatun të rrugës heton se dishka ka ndodhë me randsí. E njimend Marash Uci ditën përpara kishte pasë qenë në Shkodër, dhe atje nga nji mik i njoftun kishte pasë marrë vesht dishka të rrezikshëm per vend e bajrak, per Shkodër e Shqipní mabrë, Ky lajm e kishte prû sot te Bajraktari, të cilin e porositë qi sá mâ parë të bashkojë parín në mledhje tek Kisha e fshatit. Ai do t' ulej rishtas në qytet, per të marrun njoftësi të reja e mâ të përpikta. Mbas këtyne fjalvet dahet plaku prej Çunit dhe ky tashti jet me dý mendime enigmatike: "A se í shkojm Mbretit n' ushtrí, a se luftë kem' me Mal t' Zí. " Cilado qoftë, Shqiptari s' ligshtohet. Zoti e bjen punën mbarë dhe Hoti âsht gjithnji me fat. Mbyllë kangën vendimi i Bajraktarit per të thirrë Krenët e fisit në Kuvend.
Marash Uci

Te nji mriz, te nji lajthí
Kishin ndollun tre barí
Dy me dhên e nja me dhí,
Njâni plak e dy te rí:
Marash Uci e t' bijt e Calit: 5
Dy djelm t' letë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
Anë e m' ânë i kisht' rá detit
Kishte pá pronet e Mbretit
Çak prej Hotit tue zâne filli 10
Dér kû piqet buka m' dielli;
Pse, sa kje Marashi i rí,
I pat dalë Mbretit n' ushtrí
Me armë n' dorë, me zjarm në gjí,
si qi doke âsht në Shqypní. 15
Burrë i fortë e trim si Zâna,
Armët i kjenë atij baba e nâna:
Babë tagani e nânë breshâna,
Vllá e moter dý pistolet
Dý gjarpnusha prej Stambollet. 20
Ky kje lypun edhè gjetun,
Pat kênë thirrun edhè pvetun
E n' kushtrim e n' gjýgj t' bajrakut,
E nder pré mârrë Karadakut;
E kûdo qi i doli prîja 25
Atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
E la kama e e la atë dora,
Edhè i shkrefi armët besnike:
Njato armë qi n'kohë jetike 30
Pa'n kênë ndera e Arbnís kreshnike:
E na doli barí malit,
I shmrijak me t' bijt e calit.
Prore Mashi djelmve t' Hotit
U kallzote punët e motit, 35
Punët e motit, punë trmnije:
Si Shqyptari mbas lirije
E mbas besës e s' bardhes Fé
Bâte deken si me lé;
E u permendte Orë e Zâna, 40
Edhe u thote shum punë t' mdhana,
Per lugat kur zêhet hâna,
E per luftë, qi me drangona,
Bân kulshedra n' vise t' ona;
Edhe i njifte aj mâ s' mirit 45
Sa drangoj jânë rodit t' nierit
Mbi Rânë t' hjedhne e m' Urë t' Vezirit.
Prande' e dojshin gjith barija
E ndigiojshin fjalët e tija
Si kah pushka ashtu ka' urtija. 50
Por shka, Zot, ka Mashi sot
Qi na â vrâ e nuk bân zâ?
A thue i rá bisha nder berre,
Ja se tokët i mbeten djerre,
Ja i punoi t' ngratit rreziku 55
Pa bukë n' shpí m' e gjetun miku?
Uku n' berre s' i ka rá,
Pse kurr Marashi s' u â dâ:
Nuk kisht' mbetun ky pa e pâ:
M' e pasë pá edhè e kisht' vrá. 60
As s'i mbet ktij n' derë borxhlija:
Me 'iqind dhên qi ka te shpija
S' l6en borxhlí me i vojtun t' birit,
Edhe miqt i a pret mâ s' mirit;
Si edhe qét qi i ká si bujë 65
S' i a lânë djerr token kurrkuej.
Por as vetë shka ká s'e dí,
Veç se u thotë shmrijakve t' rí:
<<Pa ndigjoni, o djelmt e mí:
Dikû 'i punë sod m' ka qillue, 70
As nuk kam si rrí pa shkue;
Nji herë pse me pasë per t' pshtue
Zogu dore, pasha mue!
Vonë e vonë ké per t'a zânë,
Fjalë i moçmi si e ká lânë. 75
Se sa rrîj as vete s' e díj
Se nji javë ase nji muej,
Zoti e di, nuk mund t' a quej.
Por n'kje thânë prej Perendije,
Mos me shkelë un mâ m' kto hije, 80
Mos me u zânë mâ punë trimnije
S'bardhes kohë qi ka prendue,
Ah ju, u kjosha true
Per Njatê qi vrân e kthíll
Me m' a mbajtë ju sod nji kshíll. 85
Amanet un jam t' u lânë
Me ruejtë gjân me kqyrun stâ'n,
Armët e mbushne mos me i dhânë,
Me shokë t' uej kurr mos m' u zânë,
Mos m'u zânë as mos m' u ngá, 90
Pse n' ditë t' ngushtë kta u gjinden vllá
Si me pushkë, ashtu me uhá.
T' huj' n me fjalë mos t'a poshtnoni;
Buken para, por t' i a shtroni
N' Shqyptarí si â kênë Zakoni: 95
Me i besue mos i besoni!
Edhè n' mend kinje nji fjalë:
Zêmers s' frýt me i lânun dalë;
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Ujit turbull mos me i rá, 100
Mos me dalun n' vá t'pa vá;
Me i u ruejtun rrasës së lmueme,
Me i u rujtun shakës s' terbueme,
Me i u ruejtë, po, grues së lshueme;
Vendin t' uej m'e dashtë perore, 105
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore.>>
Kshtu tha Mashi, e n' kamë u çue,
Vû xhurdín edhe u shterngue,
Edhè i njiti armët mizore
Njato armë qi s'dijshin ndore, 110
Pse n'dorë t' Mashit guri Vlore
Ndezte flakë, po, flakë vetime,
Epte gjâmë, nji gjame bumbllime,
Porsi rrfeja kur shkrepë malit.
Lamtumirë! thotë djelmve t' Calit 115
Vên breshânen mbi cep t' krahit,
E t' u djergun hijes s' ahit,
Hijes s' ahit, brî njaj shpati,
I a behë n' Stare n' krye t' sahatit.
Po, Zot. Mashi ka ' â tue shkue. 120
Qi nper shpat e neper prrue
Po vjen hapin tue shpejtue
Thue 'izet vjet s'i ka kalue?
N' Gjenoviq Marashi â nisë
Ke Çun Mula me konisë, 125
Ke Çun Mula shpí e rreptë
Kû han bukë i verbët e i shkretë;
N'at fis t'Hotit, shpí e parë,
Djalë mbas djalit Bajraktár.
Prej mjesditet tue rá dielli, 130
N' Gjenoviq kapet aj filli,
N' Gjenoviq te kulla Çunit,
N' at kullë t' bardhë mbi krye t'katundit.
<<Mire se t'gjâjë, or Çuni i Mulës!>>
Po i thotë Mashi n'derë të kullës; 135
<<Mire se vjen, ti Marash Uci!>>
I a kthen Çuni: Po tý ç' t' nguci
Me lshue gjân, me lânun stâ'n
Kshtû m' u djergë zhegut m'ket ânë?
A âsht gjâ t' keq? a veç po drue, 140
Pse n'armë sod po t' shof shterngue?
<<S' â gjâ t'keq jo, nder barí;
Por nuk dij si â per Malcí...
Zoti mirë ka m' e punue,
N' kjoftë se besen s'kemi lshue. 145
Kam kênë n'Shkoder mbramë kam ardhë,
Ke qaj miku faqebardhë,
T' cill'n e njef ti prej q' kah motit,
E m' ká mârrë besen e Zotit,
Me kuvendë me Krenë te Hotit, 150
Per nji fjalë, e jo mâ vonë
Se n' ket natë, te Kisha e jonë.
Çoju fjalë, pra, Krenve t' vendit
T' dalin n' Brigje n'log t' kuvendit,
Se do t' dal nji herë te shpija 155
me i shestue do pûnë të mija.
Neser n' Shkoder prap do t' veta
Ke qaj miku' i u ngjatët jeta!
T' a ketë ndihmë Malcia e shkreta.>>
Kshtû tha Mashi, e duel me shkue: 160
Nper pishë t' zhegut pa pushue:
S' ishte ngaeja me u hutue.
Njaj Çun Mula thotë nji fjalë.
Madhi Zot, tý t' kjoshna falë!
Nder dý pûnë njâna do t' dalë: 165
A se i shkojm Mbretit n' ushtri,
A se luftë kem' me Mal t' Zí:
Si kjoftë mare ashtû e bâftë Zoti:
Oren çuet por e ká Hoti.
Po u çoj fjalë tash Krenve t' vendit, 170
T' dalin sande n' log t' kuvendit.
Atý pûnët kem' me i peshue,
Mandej dalët si kjoftë gjikue.


Back to Top

Copyright © 2010 - 2011 plaveguci.us, All Rights Reserved. Web Site designed by alexselimaj.com