Kulshedra
Në Dukagjin shpërthen nji stuhi e mnershme. Kulshedra kërkon hakmarrje per varrë qi i suell Drangoni i Shalës, Vocërr Bala. Drangojt e Shqipnís ndigjojnë gjamën e bumbullimën e motit dhe kujtohen se perbindshi ka dalë per fushë. Armatosen mirë dhe lëshohen fluturim. Poeti i njef Dragojt dhe i cilson emnat e tyne, emna të cilët përbâjnë protagonistat e ngjarjeve, qi ndjekin. Mirdita, Shkodra, Rrugova, Gjakova me Kosovë, Shllaku, Palçi e Këthella, Kastrati, Hoti Shkreli e Kurbini dërgojnë perfaqësuesët e vet. Këta në Qafën e Boshit, takohen me sivllaznet nga Shala e Shoshi. Aty bâjn planin e luftës dhe me nji herë lëshohen në Kulshedrë. Përlahen trishtueshëm me tê. Fuzhnje, spata, dana, hekura anijesh, heshta, topuza, patërshana, shkrepa e curra, zhvella e shpata janë armët e tyne: shtatë krena e aq bishta, kthetra, dhambë, zjarm e flakë, jarg helmues e vnerë përbâjnë mbrojtjen e kulshedrës. Mbas nji luftimi të gjatë kjo, tuj e pá vedin ngusht, tërhiqet në shpellë. Len jashtë vetëm krenat. Llesh Gjoni, í shpís së Gjomarkajvet, dikur, i afrohet dhe i a ngjet në dana në njanin fulqî. Tërbohet shtâsa: ep përdridhet. Idhnohet drangoni: ngrehë e djersitet per t' a nxjerrë jashtë nga shpella. Kulshedra del përgjys nga humnerja tuj stërpikë shkambijt me pëshurrë e gjak,. Lëshohen atëbotë luftarët më tê dhe provojnë trimnín e fuqin mbinjerzore, qi kanë e armët qi njeshin. I shkurtojnë krena, i thejnë brî e kurriz, i shpërthiqin sý, i cungojnë kambë e këthetra, por mjerisht përbindshi kishte mjaft sosh. Zíenë edhe mâ trishtueshëm përleshja. Ushton mali, shpërthen edhe mâ mnershëm era e moti, shtohen vetimët, çohet tym e njegull, lëkunden bjeshkë, Dukagjini luen shrregull. Kulshedra ngrihet rrshanas këthlletë në humnerë. Dragojt, atërë, shkepin nji buzë mali dhe me tê mbyllin grykën e shpellës. Luftimi mê: moti davaritet: hana lëshon rishtas rrezet e veta t' ambla. Ora e Dukagjinit gëzohet para trimnís së Drangojve tanë; thrret shoqet tjera: u kumton fitoren e asajë nate; urdhnon të bâjnë gati darkën per herojt e lodhun. Dishiri i sajë plotsohet me shpejtsin e rrufeshme. Burrat vendohen në rresht doketár me Derën e Gjomarkajvet në krye të vendit. Mbas darket dalin manesh dhe, bashkë me ngjarjet e asajë nate, kuvendojnë mbí besë e burrní të fisevet, mbí Kanû e urtí të malevet. Mshilë kangën vallja e Orvët, ku Hijet rrjeshtmira këndojnë, në nderë të Dragojvet, kangën e vashës shqiptare, Eufrozinës, e cila per mos të rá në duerë të Ali Pashës, te i cili bierte erzin e nderën, mbytë vedin në Liqê, tuj i pështue, kështu, duervet të harapit, qi kishte shkue me e marrë. Në fjalët e fundit agon drita. Orë e Drangoj marrin fluturimin dhe secili sish pushon, në nji të rrahun qerpiku, ku i dishron zemra.
Kulshedra

Lum e lum per t' Madhin Zot!
Ç' kà shkrfë sande gjith ky mot,
Gjith ky mot e kjo vetimë,
Gjith kjo gjàmë e bumbullimë,
Thue po shâmen qiell e dhè. 5
Kà lshue prrue, po, e kà lshue shè;
Rreh shtergata, shungullon era;
Ushtojn malet, me t' hi mundera;
Kaq nji mot kà shkrefë n' malci:
Shka do t' jèt, vall, nuk e di. 10
M' at Bigë t' Shalës kà dalë Kulshedra,
Me shtatë krena e gjashtë parë kthetra,
E per krye kà 'i sy në ballë,
Bishtin giatë, me i mrrijtë në zàll:
Qi, t' u hjedhë e t' u perdredhë, 15
Tue hingllue e tue turfullue,
Zjarm e surfull tue flakrue,
Krepa e gur tue rrokullue,
Dukagjinin don me shue,
Per nji dhûnë qi i bâka Shala: 20
Kur Dragoni Vocerr Bala,
Fmi tue kênë, n' nji shpellë të malit
N' gjumë e ndeshka, e 'i sy prej ballit
Zjerrë i a paska me nji hû,
Kah i a ngulka dèr në trû. 25
Asht ndezë flakë T' tanë Biga e Shalës
M' zhuri t' Lumit m' maje t' halës.
Mnderue gjindja prejksi nâmi,
Kah si kshtêja pelset shkâmi,
Jânë ngujue nder shpija e stane; 30
Hikë shkerbèt kanneper plane,
E nper pisha luron bisha
M' at Gùr t' Lekës e m' kep t' Parûnit,
Me ju dhimtë gurit e drûnit.
Kur Drangojt e Shqyptaris, 35
Si të fushës si të malcis,
Atà pàm e kan vetimen,
Edhè ndie kan bumbullimen.
Qi po ushtote Dukagjinit
Mbi Qafë t' Diellit m' valë të Drinit, 40
Mirë me vedi jânë kujtue,
Se Kulshedra atjè âsht diktue.
Ndonji mal per me rrenue;
Edh' at herë, kûdo kan kênë,
N' mal a n' fushë, a turk a i kshtênë. 45
Atà çue jânë per ajri,
Me flamure kuq e zi,
E me lata e me supata
E me fuzhnji e dàna t' giata:
Me veriga e rrfanë çelikut, 50
Hekra barkësh të Venedikut:
E nper rê e nper thellim
Mbi Bigë t' Shalës kan rrâ fluturim,
Kû Kulshedra kishte dalë,
Nâm të zi tue bâ mbi Shalë. 55
Me u bindë dheu m' tê dèr mâ s' voni.
Prej Mirdite shkrefë Llesh Gjoni, i
Derës s' Gjomarkaj, trim si Zâna,
Nji hyll n' shêj nder Kapitana,
Qi as per pushkë as per pashi 60
Mâ nuk lèn, jo, shoqi i ti,
Kah shkrepë dielli m'Shqyptari.
Shoq me tê âsht Bibë Llesh Markola
Orrl i zi ky nder sokola:
Qi edhè kryet, po, me i a hjekë, 65
Drue p' r 'i javë s' kishte me dekë.
Shkon prej Shkodret Ndrekë Heqimi,
Qi mâ i fortë nuk bâhet trimi:
Then <<mixhidin >> per mjedisi;
Edhè urtija i shkon per fis: 70
Qi prandej e zgiedhka Mbreti
Sylahçi m' e pasë mbas veti.
Me tê shkojn do koleshâj,
Trima t' çartun, katallâj:
Qaj Gjokë Kukli e Çapaliku, 75
Beqo Qoshja e Hamz Sadiku:
Burra t' fort porsi çeliku,
Mos me i trêmë shpata as rreziku.
Mandej shkrefin nalt kah Peja,
Dy djelmoça, si dy rrfeja: 80
Rrustem Uka, pika e djalit:
Xhem sadrija, harushë malit,
Lè e rritun n' at Rrogovë,
Djelm mâ t' fortë s' i kè n' Kosovë,
As n' Kosovë, as në Gjakovë: 85
Veç n' Gjakovë n' kjoftë Ton Golija,
Qi mârrë turrin si duhija,
Kaluer atit pullali,
Fill m' Kulsheder aj kà msy,
Thue me dhâmë po do m' e shkye. 90
Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega:
Faqja e tij kuq porsi shega:
Shllungë mustakun derdhë n'dy dega:
Kur nji fjalë po e folka burri,
Mâ s' i luejtka me sa curri. 95
At herë Palç del qaj Prêl Tuli:
Msyn prej Kthellet Marka Kuli;
N' Traboinë rrân Llesh Nkollë Luli;
Rrân Dodë Prêçi prej Kastratit:
Gjeto Marku flakon shpatit, 100
Porsi ajò flaka e barotit,
Kur t' i nepet zjarm agzotit:
Zbardhë kà faqet gjithkund Hotit.
Del prej Shkrelit Marash Vata,
E si rêja me shtergata, 105
Msyn perpjetë drejt Dukagjinit,
Me at gjin Pjetrin e Kurbinit,
Qi per pushkë e per urti
E lanë nâm të dy n' Shqypni.
Kta edhè u ndeshkan m' Qafë të Boshit 110
Me Drangoj të Shalës e t' Shoshit:
M' at Mar lulen, trim bujàr:
M' Gjelosh Kolen, kuvendtàr,
M' Mehmet Shpendin. pushkatàr:
M' Let Putanin e m' Tol Canin, 115
Qi kaherë ja ki' n fillue
Me Kulsheder me luftue:
Por per s' largët veç tue e shinue,
Pse fort pak kishin qillue.
Si jânë mbledhë Drangojt m' at qafë, 120
Kuvend bashkë nji herë kan rrafë,
Si me msy e tek me msy
Mandej çue jânë per ajri,
E ashtû çetë edhè flauri,
Tue shkrepë moti edhè vetima, 125
Tue krisë gjâma e bumbullima,
Tue vikatë, tue hallakatë,
Mbi kulsheder turr jânë lshue,
Kush me fuzhnje tue e shinue,
Kush me lata tue e shkallmue, 130
Kush me dàna tue e dermue;
Njani, rrah me hekra shpinës,
Tjetri, m' spatë bjeri kaptinës,
Tash mbi tê lshou turra--turra;
Tash me shkrepa gjueje e curra: 135
I shkrefë gjaku porsi gurra.
Trandet Biga m' at poterë:
Bân medet t' tanë Shala e mjerë.
Fort âsht hjedhë Kulshedra at herë,
Fort âsht hjedhë, edhè perhjedhè; 140
Tash kuk trupin kà perdredhë,
Tash â lshue 'iqind pash n' ajri,
Herë, msyj vetë ajo n' furi,
Herë, rri strukun neper shpella,
Edhè gjuej Drangojt m' zhavella: 145
Lshoju flakë e zjarm prej goje,
Hidhu jargun hoje--hoje,
Nji ditë udhé me hikë larg soje,
Prej qelbsinet qi i del goje.
Kah me kthetra nep per ânë, 150
Hidhen krepat porsi rânë,
Flakrojn currat m' Qafë t' Bishkazit;
Ekah idhtë, në frymë t' marazit,
T' u perpushë, t' u karrani,
Lshon e ngurrë bishtin n' ajri, 155
Fishkllon ajri rreth mbi Bigë,
Vetë Drangojt me pasun frigë,
Po kje frigë se kà Drangoni.
Kuer, qe, turret qaj Llesh Gjoni,
Me 'i parë dàna pash t' giata, 160
E tue rrahë e shtergata,
Tue krisë gjâma e Bumbullima,
Neper dritë qi lshon vetima,
Msyn Kulsheders aj m' i a kapë
Nja' n fulqi. qi i pash kà hapë. 165
Mehmet Shpendin per t' perpi,
Qi, m' tê 'i shkrep tue karrani,
Thue i paska njânen bri.
Kah e shef tue msy Kulshedra.
Ajo âsht tutë. e rrshânë mbi kthetra 170
Tuj u rrqasë, futet në shpellë,
Kû mrendë shtatin strukë kà kthellë,
Veç se krenat lânë kà jashtë,
Si ajo breshka per nên rrashtë,
Zjarm e surfull tue flakrue, 175
Ke bân lleshi me ju afrue.
Por nja as dy Lleshi s' i a bâni,
Fulikare fill m' tê rrâni:
Me t' dy duert dánat kà hapë
E me to fulqi' n i a kapë, 180
Sa kû mundet i a shterngon,
Si n' menjêne i a ngurron:
Edhè e trandë aj turra--turra,
Tash tue i dhânë t' shtymen nên curra
Tash prej vedit tue e terhjekë, 185
Herë n' terthuer rrebtë tue perpjekë,
Veç si t' mujë aj m' e mahitun,
Jashta shpellet per m' e qitun.
Se ç' âsht hjedhë aty Kulshedra,
Se ç' perpushë kà ajo me kthetra, 190
Ç' kà hingllue me shtatë germaza,
M' i u ndi vigma te Shperdhaza.
Ngurrue shtatit, bâ germuq,
Randë per tokë tue rà palmuq,
T' u perplasë, t' u kalamânë, 195
T' u plandosë per gur e stênë,
Bân me i hapë dànat me kâmë,
Bân me brè dànat me dhàmë:
Por nuk brehen as s' shperthehen,
Pse mirë mjeshtri i kà punue, 200
Pse mirë Lleshi i kà shterngue:
Mjerë kush mrendë u kà qillue!
Ngerthye Lleshi, bâ si grep,
Njânen kâmbë zatetë p' r ''i shkrep,
Djersa rrkajë tue i shkue per ballë, 205
Tue kercnue me dhâmë e tmallë,
Rrin e t' hjekë aj m' nja prej vedit,
T' hjekë Kulshedra edhè prej vedit.
Njani t' hiq---tjetri terhiq:
Lleshi ngrif---Kulshedra ngrif. 210
Aj: t' a zjerri jashta shkrepit;
Kjo: të strukem mrenda shkrepit,
Të pështoj prej ktij gazepit.
Kur, qe, Lleshi po permlidhet,
Po permlidhet, po perdridhet, 215
Po perdridhet tue ngrefë m' dana,
Me ato duer e me ato llana,
Si të shkrime prej çelikut,
Kû per t' giatë të trashë kerrçikut
I jânë ngrefë dejt toje--toje, 220
Edhè shkûmë tue qitë per goje:
Shkûmë e gjak, ofshè! perzi
I nep shtatit me furi,
Edhè ngrefë kaq me fuqi,
Qi i âsht shkulë shkrepi per nen kâmë 225
E i jânë thye në gojë dy dhâme,
Edhè 'i pash, rrs`ânë tuj e ngrefun,
Zier Kulshedren nên gùr mshefun.
At herë mbrapa kthen nji hap,
Edhè shtatit i nep prap, 230
E dy pash, po , dy pash t' mirë
Prap mâ jashtë Kulshedren zier.
Kshtû tue i dhânë pêsë herë a gjashtë,
Zier per gjymsë Kulshedren jashtë.
At herë t' madhe, sa i mûjt zâni, 235
Briti shokve Kapitani:
Ushtoi ashta lak e m' lak,
Trêmë Kulshedra, pshurri gjak,
Me blue 'i ditë nji gùr mullini:
Bini, mêca, bre! Ku jini? 240
Se Kulshedren jashtë e kini.
Ah! kû jè, bre Rrustem Uka?
Të vraftë Zoti e të vraftë buka,
Ke s' po ndihe gjallë kund sande...
Dili, para, eh kopilane! 245
Edhè shtypja, n' mujsh, ndo 'i krye;
Se, per Zotin ! âsht tue m' shkye,
Bâni ajo dànash me m' pshtue.
Shpejt Drangojt per ajr janë çue,
Zhgjetë m' Kulsheder, dhe, jânë lshue: 250
Njani para rri e ndersyj,
Tjetri sypri mêrr e msyj:
Para e sypri, e ânë m' ânë,
Gjithsi kuej âsht tuj i u dhânë.
Rrustem Uka, trimi i trimit, 255
Nper krisme e flakë t' thellimit
Shi nên frymë asa' i âsht fuer,
E rrokë shpaten me dy duer,
Njanit krye me tê i kà rà.
Shperthiqë synin 'dhe i a kà, 260
Rrashten krejt por s' mujt m' i a çà.
Vjen m' shpinë t' atit Ton Golija,
E tue krisun si duhija,
Trandë topuzin, njiqind okë,
I a flakron po shi m' at kokë, 265
Edhè pshesh i a derdhë per tokë.
Po i shtrengohet Let Putani,
Edhè dyndë nji bet carani,
Njizet vetë, po, mos m' e luejtun,
E me tê, sa kû kà mujtun, 270
siell m' Kulsheder me furi
Shi m' kurriz m' i a karrani.
Ungron shtâsa me mëni,
Edhè krejt aty terbohet;
Hidhet, trandet, lamsh kukzohet, 275
Qafen krrabë e kà ngerthye,
Kah bân Lleshin per me msy,
E s' kà para si me u shty,
Pse mirë Lleshi e kà merthye.
Xhem Sadrija, 'i trim rrfè, 280
Ktij Gjet Geges po i lshon bè:
Pàsh njat Zot, qi të kà dhânë,
Deli, Gjeto, n' mûjsh, m' at ânë,
Edhè nzite m' patershânë,
Tuj i a ngulë m' ndonjâ' n germaz; 285
Pse un ktej gati m' shaterkaz
Po t' i rri ktej mbrapa shpinës,
N' mûjsha í herë me i rà kaptinës.
Edhè trût m' i a derdhë per tokë.
Gjeto Gega shpejt kà rrokë 290
Heshten, trashë sa 'i << mashkull >> qerrit,
Edhè shi rrânzë njâj kapzherrit
I a kà ngulë, po, nja tri pllamë.
Bân kulshedra me u çue m' kâmë,
Bân me u rrqasun vithambrapa, 295
Per me u strukë mâ kthelltë nder karpa;
Por, pse Lleshi e kà shterngue
Me ato dàna, si i terbue,
Palmuç m'parsme ajo âsht rrxue,
Edhè qafa i âsht ngerthye, 300
( kah fulqijsh ishte merthye,)
Arrçi i qafës, i edhè, i âsht thye,
Krejt fulqini asa' i âsht shkye
E i âsht shkepë deri m'gerglâc.
Vjerrë nder dàna,si letrâc. 305
Veç shka? çena ka' i kà plasë,
Hov si lleshi qi kisht' pasë
vithambrapa aj âsht rrqasë
Nja 'iqind pash, po, mos mâ teper,
Dér qi ndashë kà m' nji stom t' eper. 310
shkapullue dànash kulshedra,
Tue perpushë nper gur me kthetra,
Kà nisë t' hajë shtatin në shpellë,
T' u perdi gryket m6a kthellë.
Bini, burra! mos e lshoni! 315
Po piskatë prap qaj Llesh Gjoni,
Edhè turr e lshon m' tê vrapin,
Ka dy pash tue mârrun hapin,
E si t' kisht' dànat nder duer,
Me to siell aj si n' t' terthuer, 320
Edhè i mêrr njânen kaptinë,
Tue i a kputé rrumull me shpinë.
Se ç' jânë lshue Drangojt at hera,
Se ç' kà krisë zhurma e potera,
Fort njerzis i kà hypë mndera, 325
Kah me lata e me supata,
Kah me shkrepa edhè me grepa,
E me dàna patershâna,
E me fuzhnje e me terfurq
Rrâjn n' kulsheder t' kshtênë e turq: 330
Tuj e msy e tue ndersy,
Tue shinue e tue e shkallmue,
Njâni sypri tue i flutrue,
Tjetri m' ânesh tue e pershkue,
T' gjith njiheri tue e dermue 335
Me ato lata e fuzhnje t' giata.
T' i dha era edhè shtergata;
Flakë per flakë t' i a dha vetima,
Krisi gjâma e bumbullima,
Shungulloi malit ushtima: 340
Hypi tym e hypi njegull,
Biga e Shalës likundet shrregull.
Trêmë kulshedra, âsht futë në shpellë
Kû là n' gjak e randë t' u sjellë,
Tuj u zmbrapë barkas mâ kthellë. 345
Herë t' u rrqasun kamandoras,
Lshohet shul teposhtë rrmores:
E si rreshmja me zhumbùr,
Tue rrmye gùr e tue rrmye zhùr,
Kulihum shêmet n' liqê, 350
Mbrenda Bigës dyndun kurrnê,
Kthelltë kah zhytet trupi i sajë:
Trandë âsht toka dèr në Rajë.
Xhem Sadrija, mushë n' maraz,
Ke me i rà s' mûjt m' shaterkaz, 355
Kah i u shkye m' dàna fulqîni,
Fill mbas sajë në shpellë aj hini
Edhè u shty mbrendë bukur kthellë,
Por me sjellë m' tê, s' mûjt me sjellë;
Pse kisht'kênë vendi humnere, 360
E kulshedra u zhduk me 'i here.
Shpejt Drangojt aty janë çue,
Edhè çetë atà kan shkue,
Si ki'n kênë t' gjith pika e djalit:
E kan çkputë nji buzë prej malit, 365
Edhè shpellës i a kan vû n'grykë,
Tuj i a rrasë mbrendë porsi pykë,
Qi per jetë mos t' mûjë Kulshedra
M' e dermue me kâmbë e kthetra.
Dukagjinin per t' damtue; 370
Mandej ulë janë me pushue.
E at herë rêt janë davaritë,
Kà nisë hâna n' qiell me shndritë.
Ora e Shalës, eh shtoi, Zo', vallet!
Dalë e ndêjë m' nji vetull mali, 375
Atjè nalt dikû mbi Nicaj,
Ajo luften pà e paska,
Qi Drangojt bânë me Kulshedren,
M' at kapë t' Bigës mbi atà thepa:
Edh' e mira fort âsht gzue, 380
Kur kà pà e kà kundrue,
Se Drangojt e Shqyptaris
Keq shemtuem e kan Kulshedren:
Se tri krena i kan gjymtue:
Se 'i germaz i a kan shporue; 385
Shtatit krejt se e kan shkallmue
E se n' shpellë e kan ngujue,
Tue i zânë gryken me 'i buzë malit,
mos me mûjtë mâ per s' t' gjallit
Me damtuemun Dukagjinin. 390
E kur pà kà ajo me sy,
Se jânë ulë burrat e dheut,
Per t' pushuem e biseduem,
Tuj u prrallë njani me tjetrin,
Per shka psue kishin m' at natë, 395
Tri herë rresht zên e piskatë:
Ndihet vigma m' Qafë t' Morinës:
Kan ndie Orët e Dukagjinit,
Neper shpella, kû ishin strukun
Prej gazepi t' asajë natë; 400
Edhè çohen per ajri,
Xhixha--xhixha tue xhixhllue
E i a befin te Ora e Shalës,
Motra e mashe e Dukagjinit.
Kà marrë Ora edhè u kà thânë: 405
A thue e dini a por s' e dini,
Se Drangojt e Shqyptaris:
Atà i paçim, Zot! me jetë:
E kan thye sande Kulshedren
Tue luftue m' at Bigë të Gimaj, 410
Edhè n' shpellë e kan mutue
Me nji shpat shkepun prej malit,
Mos me mûjtë me pshtue per s' gjallit.
Veç se shka? ofshe un e mjera!
Atà darkë sande s' kan ngrânë; 415
Para darkësh pse aty kan rrânë,
E as s' i kan nuset e veta,
Qi aty buken m'u a gatue,
Edhe tryezen me u a shtrue,
M' kambë me u ndêjë gati me ujë. 420
Ani prà, mori ju motra,
Shpejt m' u a ndreqë darken Drangojve:
Shpejt me korrë grunin nder ara,
Mirë m' e shi e mirë m' e blue,
Mirë m' e njeshë, mirë m' e gatue: 425
Me dalë n' bjeshkë me mjelun sutat,
Me gjetë mjalten neper zgavrra,
E me zânë dy drêj të mâjmë,
Me u a pjekë ferlikë në hèll.
Kshtû kà folë kjo Ora e Shalës; 430
Edhè Orët e Dukagjinit
Jânë bâ Xhixha e zhdukë n' vetimë.
Veç sa 'i herë vjen vallja rrotull.
Aty prap ato kan kthye:
Njana, buken permbi krye; 435
Tjetra, mjelcen per nên dorë,
Mjelca bâ me lvore blinit;
Dikush bjen fashoje mjeltet;
Tjerat, m' hej vendue terthuer,
Bàjn mbi krah dy drêj të mâjm, 440
Ora e Shalës si u kishte thânun,
Qi me pjekë ferlikë në hèll.
E si t' tana janë bashkue.
Fluturim ato jânë çue,
Veshun bardh e flokët zhvillue, 445
Edhè befë kan m' mâje t' Bigës,
Kû Drangojt po kuvendojshin.
Ora e Shalës, at herë, u â avitun,
Qi edhè u thotë me t' amel zâ:
Mirë se u gjêjë, burra të dheut! 450
Mirë se vjen e bukura e dheut!
Mirë se vjen, e kah të kemi?
Ka' u kè pri ktyne fisnikve?
Po i pergjegjë Kapitan Lleshi.
Se, mana', ty t' u ngjatët jeta! 455
Un jam vetë ajo Ora e Shalës:
Moter un me at Orë t' Merditës,
Qi veron mbi bjeshkë t' Mundelles,
Si ajo drita tuj ague:
Kto janë Orët e Dukagjinit, 460
E kem' dalë m' ket maje bjeshke,
Per me u pà, me u njoftë me jue;
Se zâ t' madh per jue kem' ndie,
Se edhè e làt sande ju nàm,
Tuj e thye në luftë Kulshedren, 465
Qi me shue desht Dukagjinin.
Jo qi lodhë, un thom, do t' jini,
Se edhë darkë ju ngrânë s' do t' kini:
E ktû, po, âsht nji bjeshkë e naltë,
Të tanë gùr e shkam i gjallë, 470
Kû s' gjên nieri shka me ngrânë:
Pse as s' i kini nust t'ueja,
Qi jue darken me u a ndrequn.
E prandej na Orët e Maleve
Darken jue u a kem' gatue: 475
Kû me vedi u a kem' prû:
Kur t' urdhnoni me u rreshtue.
Edhè trimat rreth janë vû.
Nja mbas njâ' i e rend mbas rendit,
Me Llesh Gjonin m' krye të vendit: 480
Asht Gjomarkajsh e i bje prija
Derë mâ t' vjeter s' kà Shqypnija.
At herë Orët u kan sjellë buken;
U kan vû ferlikët perpara,
E u kan prû mjelcat me kjumshtë: 485
Kjumshtë me borë, dhâmin me t' pi:
Edhè mjaltë, sà kush kà dashtë:
Mâ e mirë darka s" ndreqet n' ashtë.
Gurren nget kishin per bri,
Gurrë si aklli e e kjartë florî, 490
Sa kush dote aty me pi.
Mbasi bukë trimat kan ngrânë,
Jânë çue prap e dalë m' njâ' n ânë
E po rrin tue bisedue
Me njat t' bukuren Oré të Shalës, 495
Per kanû e pûnë urtije,
E per besë e per pûnë t' mikut,
E per lufta qi u bânë motit:
Per trimni të Gjergj Kastriotit:
Per Drangoj e per Kulshedra: 500
Per <<breshana>> e per gopedra
Edhè folen mbi liri,
Mbi liri e mbi Shqypni:
Si Shqypnija do t' dalë m' vedi,
Mos m'e urdhnue mâ as Krajli as Mbreti,505
Me kânë zojë ajo m' vedvedi,
Ashtû Zoti si e kà shkrue,
Qatjè vonë zên Ora e Shalës
E po u thotë shoqeve t" veta:
Hajdni, varza, me u njitë valle, 510
Edhè 'i kangë ju me e këndue,
Sa po âsht Drita ende pà dalë:
Pse Dragojve u pelqen kanga.
Jânë çue Orët e Dukagjinit,
Me ato petka bardh si bora. 515
E jânë kapun dora--dora,
Shpervjelë mangët mbi cep të krahit.
Flokët dèr m' kâmë zhvillue giatë shtatit,
Me kunora lulesh m' krye
me ato kâmbë kaleçë tue kcye, 520
Dà dy lagjesh ballë per ballë,
E tue kndue ato palé e palé,
Kan pri vallen kshtû per mallë:
Varza kà e varza s' kà;
Por, si kà nji vajzë n' Janinë, 525
Kurkund shoqen s' i a kè pà,
Kah bje diell e serotinë:
synin diell, ballin si hâna,
Ardhun shtatit si silvija.
Eufrozinë e quejti nâna, 530
Augur t' mirë m' e pasë Shqypnija.
Atê e pâtka aj Ali Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon Harapin m' e kerkue. 535
Vjen Harapi e i thotë te dera:
Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të kà lypun.
T' u thafët goja! shka po thue? 540
I a kthen vasha fjalen maré;
Se un nji vajz--o kam qillue:
S' diej me folë me Pashallarë,
Jo, po, Ali pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m' a prè, 545
si i kà prè kushdi sà krena;
Gjallë por s' lshoj un erz as fè.
Asht mushë Pasha me mëni,
Prap harapin çon e e thrret:
Pa ndigio harap i zi, 550
Se dy herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n' fund t' liqênit
T' a bâj gjumin me bretkoca.
More vesht, bre qên i qênit? 555
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m' liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N' mes të liqênit si kan dalë, 560
Aty trapi vend kà zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
Nuk kà tjeter, tash, lum vasha:
E s' jam nieri fjalës qi i luej: 565
A me shkue sande te Pasha:
A shi ktû me t' mytë ty n' ujë.
Jo, po, i thotë vasha tue qeshé,
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t' shkoj nji herë me u veshë, 570
Pse sido ktû kam qillue.
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit, t' birit t' qênit,
Mêrr e hidhet n' ujë prej trapit,
Edhé zhduket n' fund t' liqênit. 575
Doli fjala neper dhè:
Njekso varzash kà n' Shqypni,
Qi per erz edhè per fè
T' rijt e jeten i bâjn fli.
Kshtû këndojn Orët palë e palë 580
Por, tue mârrë té mbramen fjalë,
Hylli i dritës nisi me dalë
E buzës s' malit drita agoi,
At herë Orë edhè Drangoj
U çuen m'ajr t' gjith plima--plima, 585
Edhè u zhduken si vetima,
Tuj u gjetë aty nji filli,
Kû me u gjetë deshti se i cilli.

Back to Top

Copyright © 2010 - 2011 plaveguci.us, All Rights Reserved. Web Site designed by alexselimaj.com