Vranina
Shëndrrimi i gjendjes në Vraninë bân qi kryeqyteti i Malit të Zí, Cetina, të shqetsohet. Shkajku i këtij ndryshimit âsht Oso Kuka. Përshkrimi i hollsishëm i kreshnikut Shqiptár. Knajz Nikolla thrret Krenët e Malit të Zí dhe çilë mbledhjen tuj u paraqeitë gjendjen e Vraninës dhe planet e veta. U paraqet të pranishëmvet premtimete Carit të Rusís, premtime, të cilat nuk mund të çohen në vend parpá hjekë qafet trimin Shkodranë. I pari, qi merr fjalën mbas Knajzit, âsht i Cetinjani, Mirkja. Ai vetë, si Knajzi, pohon trimin e Shqiptarvët, por çeshtjen s'e bjen të disprushme. Me Shqiptarë - thotë - ku s'punon trimnija, ka me punue dredhija e parja, të fitmet e dasija. Per mos me bjerrë kohë ai lyp prej Cetinet 700 vetë e 400 prej Bioçet nën Gjukoviq Peren. Me ta vendosë të dalë në Vraninë.
Auktori thrret Zanën per t'i lajmue Osos vendimet e mshehta të Cetinës, Pergjegja e Zanës âsht nji ankesë e pervâjshme jo aq për dekë t'Oso Kukës, sa per pleqni të bame me coptue tokët e Burrit, të Lekës e të Kastriotit. Mbyllë kangën nji kushtrim i thekshëm, qi Poeti u sjell Shqiptarëvet e sidomos drejtuesvet, të ndjekin shembullin e kreshnikut Shkodranë dhe të desin, si ai, Pérpara se të lanë me coptue vendin e të Parvet tuj bjerrë Fé e zakone.

V R A N I N A

Vojti fjala ka cetina:
Vall ç' po bân mbi Shkijé, Vranina!
Vall ç' po bân Vranina m' Shkijé,
Rob tue záne e gjind tue pré:
Tue pré gjind, tue zânë hajduka, 5
Qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, i' burre Shkodranë,
Shoq ne Shkoder, thonë, s' ká lanë
Per kah besa e kah trimnija,
Qi zanát i ká Shqypnija. 10
Kalashan e sý - pergjakun,
Mje m' sylah e ka mustakun;
Ushton mali, thonë, kur t' flase,
Dridhet fusha kah t' vikase;
E kah t'dredhë të rrebtë tagâ'n, 15
thue se rrfeja shkrepë per ânë:
Kaq vringllim aj shkon tu' i dhânë!
Edhè e ká nji xheverdare,
Xheverdare pushkë vrastare,
Qi, ke t'laje sýni i njerit, 20
Me tê sý'n i a zier skyferit.
Burrë kaprroç e trim si Zâna,
Thonë me kmishe e bâni nâna;
Edhè, thonë, ká lé drangue,
Pse trí zëmra i kan qillue, 25
E pse i ka trí pupla t' arta
Per nen krah të armve t' larta.
Prandaj plumja m' tê nuk ngulet,
M' tê tagâni edhè perkulet:
Top me i rá shpierti s' i shkulet. 30
Ky n'Vranine edhe ká zânë
Me njiqind e nji breshânë
Kú nji fjale e paska thânë:
Se per t' gjallë rodi i Shqyptarit
S'i bjen n' dorë kurr Gospodarit.35
Fjala knjazit n' vesh i ká shkue:
Edhè Knjazi na âsht idhnue,
Na âsht idhnue kur e ká ndí.
Thirrka Krenët e Malit t' Zí:
Njani arí, tjetri duhí, 40
Të gjith lé sokola malit:
E m'ledinë n''kuvend rreshtue,
Ngerthye vetllat m' shtek të ballit,
Folë u paska si tue ulurue:
Ká dalë fjala nper Cetinë, 45
Se 'i Shkodranë ká rá n'Vraninë,
N'at Vraninë, po n'at rranzë suket
Thonë ká rá 'i farë Oso Kuket.
Kaleshan e Kime-zí,
Gjak e zjarm â aj sýni i tí; 50
Edhè i ká nji pare mustaqe
Kaçarrel e leqe - leqe,
Qi me i mrîjtë mje m'fletë t' sylahit,
T' zez e t' trashë sá llana e krahit.
Ky edhè, thonë, ká lé drangue, 55
Pushkë as top mos m'e shinue,
As tagân mos m'e varrue;
E po thonë se ká zatetë
N'at Vranine me dyqind vetë,
Me dyqind fatosa t' rí 60
Djelm të zgjedhun n'mal e n' vrrî
Jo per dok ëe hijeshí,
Por per zêmer e trimní,
Qi e kan pushken tatë e nânë.
Ky edhè 'i fjaleë paska thânë: 65
Se per t'gjallë rodi i Shqyptarit
S'i bjen n'dorë kurr Gospodarit...
Prap po thonë se ky Oso Kuka
Paska zânun do hajduka:
Do i ká zânë e do i ká pré: 70
S' lên me rá mâ Shkjá n'at dhé.
Cubat vetë i paçë ndersý,
T' zezë Vraninen per me msý,
Vrasë e pré mos me i a ndalë,
Veç me Turk si t'nisi fjalë; 75
Pse Moskovi e ká pleqnue
Shqyptarín né me na lshue
M' Rozafat e m' Kishë Deçane,
Kû do t'mrrîjë megja serbijane,
Per me u gjetun Cernagora 80
Me Serbí bashkë dora - dora.
Kujtoj keq s'na kishte rá.
Shqypnín tjeter kan me e dá
Bulgarija e ajo Greqija.
Pse, mbasi Shkijét e Ballkanit 85
T' kanë pushtue tokët e Sulltanit,
E mârrë t'kenë do skele detit
Te kane lidhë besë ndermjet vetit,
Ká m' i dhânë Shkjenís e mbara,
Ká m'u shtrue ura perpara 90
Dét e m'dét m'u kapë Moskovi;
Ká m'i thye Krajlnive hovi.
Por, qe tash, mbasi ká zânë
N'at Vranine ky burrë Shkodranë,
Nuk po dij se kah t'i a majë: 95
Drue s'ka metë per sod uzdajë
Se i pushtoj tokët e Shqyptarit,
Si e kam pasë fjalen e Carit!
Kshtû tha Knjazi i Malit t' Zí.
Krenët po rrijshin tue e ndí, 100
Tue e ndi e tue mendue
Se shka Knjazi ish' tue ligjrue
Per Shqypní e per Shqyptarë.
Kur qe Mirkja, Krenësh se parë,
Po i thotë Knjazit: Gospodár, 105
Fjala e Carit n'udhë s'do lânë,
Pse ka dalë nji burrë Shkodranë
N'at Vraninë, n'at t'zezë krahinë,
N'breg t'Liqênit n'at kodrinë.
Pse, po kje se ky Oso Kuka, 110
Po âsht nji nieri qi e man buka
N'mos e mârrët pushka e kurrkuej,
(Mjaft qi, mjeri, mund t'a gjuej!)
Ká m'e marrë nji pushkë vrastore:
Pushka e babës ltinë mizore, 115
Qi der m'sod mue s'm'ká koritun,
Pse edhè m'turk ajo âsht vaditun...
Veç po e zâm se ket Shkodranë
Gjallë as dekë s'po mûjm m'e zânë,
Me gjithkta nuk do me thânë, 120
Se na s'e pushtojm Shqypnín.
Malazezt te gjith e dín
Se n'Shqypní ká djelm si Zâna,
Qi mâ t, fortë s,po t'i bân nâna.
Me armë n'dorë, si thomë na, lé, 125
Anë e kand permendë mbi dhé
Per trimní, per besë e Fé:
E prandaj p'r i' dite Shqypnija
S't'bjen n'dorë, besa, lum Zotnija.
Por me kohë e me dredhí, 130
Me u kapë mundet Mali i Zí
M' Teqe t' Krús e m'Kishë Deçane,
Kû do t'mrrîjë megja serbijane.
Pse tue kênë se kan fillue
N' Shqyptarí sod m' kâmbë me u vû 135
Muhaxhír e Anadollí,
Gjind t'pá plang edhè t'pá shpí,
Qi nuk dín se shka u kje i pari,
Zot e Mbret per t'cillt âsht ari,
E u lanë m'anesh dyert bujare, 140
Dyert bujare t 'tokës Shqyptare:
Njata krenë e kapitana,
Bajraktare, trima si Zâna;
T'msuem per Mbret me dhânun jeten,
T'msuem per vend me shkrî atà veten,145
Per ket besë, kallxou kuleten,
Se Shqypnín ké m'e pushtue
Para se t'a keshë mendue.
Prandej zên tash, Gospodár,
Me qitë fitme nder Shqyptarë; 150
Pse me kohë e dhelpëní.
Ké m' u bâ Krajl mbi Shqypní.
Edhe ndoshta mbi Serbí...
Por na as tash harû spo t'rrím:
Sá ma shpejt n'Vraninë po t' bím, 155
Me u perpjekë ma at Turk Shkodranë.
Un po t'bie me Cetinjanë,
Cetinjanë nja shtatqind vetë,
Qi per gjâ s' e bâjn ket jetë:
Si me dekë ashtû me metë. 160
Mandej t'bjerë Gjukovic Pera
Me nja katerqind pushkë tjera,
Katerqind Bijoca t'rí,
Qi janë Ora e Malit t'Zí.
Kam uzdajë se me kto çeta 165
N'sukë t'Vraninës un porsá t' veta,
Kam me ngulë m'tê Trobojnicen,
Kam m'i a vû Osos kapicen,
N'kjoftë se kryet s'i a pret tagâni,
Si n'Cetinë ka dalun zâni... 170
Pse perndryshej, kam m'i a prû
Kret n'Cetinë, t'ngulun m'nji hû...
Kshtû tha Mirkja, Kapitani.
Ver me gojë kush mâ nuk bani.
Atëherë Knjazi i Malit t'Zí 175
Mêrr e u thotë: Sokola t'mí,
Bini pra, n'Vraninë me ushtrí,
Me sa t'dueni ushtarë te rí;
Por Vraninen m'a pushtoni,
Osos kryet por m'i a shkurtoni. 180
Sá per fitme e per ngatrresa
M' lêni mue, perse, qe besa,
Me pak pare e tuj gergá,
At e bír un kam me dá:
Jo se mâ bajraqe e fise, 185
Qi, q'se mora mend e shise,
Un t'bashkuem mend nuk i majë...
Oh! po tash mund t'kem' uzdajë,
Se serbija e Crnagora
Kan me u gjetun dora-dora 190
Me Greqí e me Bullgarí,
Si n'Moskov â bâ pleqní.
Por Vraninen m'a pushtoni!
Osos kryet por m'i a shkurtoni!
Foli Knjazi, e Krenët u ndane, 195
E n' Vraninë, mbi xhebehâne
Zû me krrokë nji sorrë kob - zâne.
Deh! moj Zânë, pásh njato kroje,
Pásh currilat neper prroje,
Pásh bylbylat e Prandverës 200
E pásh t'amlin fllad te erës
E p'r at voes, qi bje prej qielli
E pásh lulet drandofille,
Deh! m'kallxo a po t'vjen keq,
Se e dau Knjazi sod nder Pleq 205
Trup nji ushtrí n' Vraninë me çue,
Osos kryet per m'i a shkurtue?
Mue m'u kputshin fletët e krah'e
Mue m'u bâshin prozhmet rrahe,
Mue m'u shuejshin kângë e valle, 210
Kângë e valle edhè zavalle
Mbi njato rudina t' buta:
Per mjedis mue m'plasët lahuta,
N'paça dhimë a kurrnji grimë,
Pse po i pritet Osos kryet, 215
Pse po i erren të dy sýt:
Krye n'Shqypní mos metët pá u pré,
N'kjoftë se n'shekull aj ká lé,
Per me u vû mbí tê kapica
Me njat shkrolë qi e shkroi Nikica! 220
Por m'lingon mue shpirti e zêmra,
Shtati m'dridhet mje ke thêmra,
Ke po ndiej un kob të rí:
Qi i ká metë sod Malit t'zí,
Per me dá t'mjeren Shqypní, 225
Kû kan lé e kû jânë perkundun,
Prej kah shk'' llin e kan tundun
Burri, Leka e Kastrijota,
Para t'cillve shueta bota:
E Shqyptarët porsi t'hutue, 230
Me duer m'i rrín tue shikjue,
Thue se 'i mend qiella e ká dá,
Rob me ndêjun kta nen Shkjá:
M'i u shtrue knjazit dheu i Shqyptarve,
Shtrêjt fitue me gjak te t'Parve!... 235
Ehú! mallkue kjoftë njaj n'Shqypní,
Kjoftë mallkue, po, a plak a i rí,
Qi per Mbret e per lirí,
S'çohet sod me armë mizore,
S'lidhet sod me besë arbnore, 240
Per ma dhânë mâ para jeten,
Per me shkrí mâ para veten,
Se me rá fisi i Shqyptarit
N'thoj t'pangîshem t'Gospodarit.
Shka? a thue n'kângë se ká me u vû,245
Se pá pushkë e ndêjë harû
I rá Knjazit n'dorë Shqypnija,
N'zâ kah besa e trimënija?
Jo, per Zotin! Para toka
E perpîftë me male e boka 250
E me lume e fusha t'gjâna:
Per tê dielli u errtë e hâna!...
O zotnít e Shqyptarís,
O ju krenët edhè t'Malcís,
Pashi at Zot e at êmnin t'uej, 255
Mos lakmoni pares s'huej:
Sado vonë me pasë per t'shkue
Mbi djelm t'uej ká me gjikue!
E ju t'cillve i Bukuri i qillve
U ká zgiedhun me i prî nirit 260
Ravës s'amshueme t' t' naltë Empirit,
Qi â e lirís e e s'Drejtës pasqyra,
Kinie n'mend: per jú detyra
S'âsht me mjelë veç delet t'ueja,
S'âsht me mkâmbë veç gjûhët e hueja, 265
Por me at Fé, qi kem' prej qillit,
Por me t' bardhen dritë t'Unjillit,
Mrendë dashtnín mú a ndezë Shqyptarve
Per kah giûha e vendi i t' Parve:
Qi Shqypnija t' jetë e vetit, 270
Qi Shqyptarët t'sherbejn nja'i Mbretit:
Qi per Mbret e troje t'veta
Mos tu dhimbet gjâja as jeta,
Por te desin, si Oso Kuka
Qi âsht tue dekë, ehu! n'ato suka! 275

Back to Top

Copyright © 2010 - 2011 plaveguci.us, All Rights Reserved. Web Site designed by alexselimaj.com